Secondary Adv

Bien me 28 për qind kërkesat për azil, shqiptarët preferojnë lejet e punës

Të dhënat e Eurostat tregojnë se emigracioni shqiptar po zhvendoset drejt punësimit të rregullt në vendet e BE-së, ndërsa kërkesat për azil janë përgjysmuar në dy vjet.

Rënie e fortë e kërkesave për azil

Sipas Eurostat, gjatë periudhës janar–korrik 2025, shtetasit shqiptarë kanë dorëzuar gjithsej 3,100 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare në vendet e Bashkimit Europian, një rënie me 28 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në raport me vitin 2022, kur u regjistruan 7,200 kërkesa pas pandemisë, numri është më shumë se përgjysmuar. Franca mbetet destinacioni më i preferuar për azilkërkuesit shqiptarë, e ndjekur nga Gjermania, për shkak të politikave sociale më të favorshme.

 

Rritje e ndjeshme e emigracionit me leje pune

Ndryshe nga trendi i azilit, emigracioni i rregullt përmes lejeve të punës është në rritje të vazhdueshme. Vetëm në periudhën 2022–2024, shtetasit shqiptarë kanë përfituar mesatarisht 20 mijë leje pune në vit në vendet e BE-së, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani. Kjo shifër është pesë herë më e lartë se një dekadë më parë, kur jepeshin vetëm 3–4 mijë leje pune në vit. Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.

 

Lejet e punës, forma kryesore e emigracionit

Numri i shqiptarëve që largohen me leje pune është tashmë gati dy herë më i madh se ai i azilkërkuesve. Në vitin 2022 u regjistruan 15 mijë kërkesa për azil, në 2023 u ulën në 11 mijë dhe në 2024 në 9.3 mijë. Kjo tregon një ndryshim të dukshëm të modelit të emigracionit shqiptar, nga ai informal drejt migrimit të ligjshëm të punës. Ekspertët vlerësojnë se ky zhvillim lidhet me marrëveshjet dypalëshe për punësim dhe nevojat e tregut europian të punës për fuqi punëtore në sektorë si bujqësia, ndërtimi dhe kujdesi social.

 

Flukset e azilkërkuesve në BE

Në korrik 2025, në nivel europian u regjistruan 55,340 aplikime të para për azil nga shtetas të vendeve jashtë BE-së, 27 % më pak se një vit më parë. Shtetet me numrin më të lartë të kërkesave ishin Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania, të cilat morën së bashku 73 % të aplikimeve. Grupi më i madh i azilkërkuesve ishin venezuelianët, afganët, bangladeshasit dhe sirianët. Greqia kryeson për përqendrimin më të lartë të aplikimeve në raport me popullsinë, me 46.1 kërkesa për çdo 100,000 banorë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat